SPARTAKU
I
Ca kohë mendoja se s’do të më harronin
po sigurisht, e kisha gabim.
Ka mijëra arsye për të harruar,
arsyet për të kujtuar janë gjithmonë më pak:
për shembull, në ditët tuaja
një koncert, ku të tjerët kënduan dhe ju dëgjuat,
ngritja e një përralle a ndërtese ku strehoni zotat tuaj,
(sado që atyre s’ka si t’u hyjë në punë),
a diçka që herët a vonë do të ndodhte, si puthja e parë,
meritojnë për shumicën e njerëzve
më shumë përkujtim
se, po themi, gjashtë mijë kryqe të vjetër në Via Appia
me gjashtë mijë burra që japin shpirt në to.
(Kam dy mijë vite që i mbaj mbi shpinë
dhe i bëj vetes pyetje që luftëtarët s’duhet t’i bëjnë.)
II
Gruaja ime nuk ishte shumë e bukur,
po ishte imja, ndaj e doja.
Njëherë më tha, në Thrakën e largët
(nga ne, dimrat janë kiamet të ftohtë!)
se e ndiente që një pranverë do të lindte një vajzë
e cila do ta kishte gojën aq të ngjashme me zambakun,
sa ata që do ta shihnin, s’do ta pyesnin për emrin.
Gruaja ime fliste shpesh budallallëqe të tilla,
dhe unë s’ia vija shumë veshin,
ulja kokën e merresha me ndonjë punë,
sa t’i kalonte dalldia
se më dukej e frikshme me flokët e kuq që farfurinin
edhe më shumë se zakonisht në këto raste.
Po tani më merr malli për këtë vegim që pati:
për vajzën gojëzambak që rritej mes dëborës
me emër e kohëlindje të paracaktuar
pavarësisht çdo gjëje,
në siguri të plotë;
pa asnjë mëdyshje.
III
Të them të drejtën, deri diku jam i qetë:
unë isha frikacak e i kujdesshëm sa kohë munda.
Po kur plani ynë për arratisje u zbulua,
me shumë mundësi do të na kishin vrarë.
Si mund të mos luftoja aq fort?
Pas rrethimit, më vunë të parin
dhe kur dhe Vezuvin, birin e Zeusit, e munda aq thjesht,
shpejt u bënë vrunduj ushtarësh
që turreshin betejave me emrin tim në gojë.
S’e fsheh dot, kjo gjë ma ledhatonte sedrën,
sa Kriksin e të tjerët s’i llogarisja më.
Ca kohë m’u ngulit në kokë se isha i pathyeshëm,
thurja plane ç’do të bëja kur të sundoja Romën
(të gjitha: luksin, qytetet me emrin tim dhe femrat).
Po pastaj erdhi vdekja dhe m’i kthjelloi idetë,
sado që në fillim s’qe imja;
kishte kapica trupash, një det me të vdekur
dhe kush vdiste pranë meje, i mbante sytë nga unë:
ca sy si gojë të hapura, që derdhnin rrathë fjalësh
gjithmonë të vorbullta, në vërtitje pareshtur,
kryesisht pyetje, nga ato që i bëj vetes.
IV
Jo, nuk e di a kisha zgjedhje tjetër.
Nuk e di nëse mes atyre që vdiqën rrotull meje
kishte nga ata që ndoshta do të kishin jetuar
goxha gjatë, sa t’u thinjeshin mjekrat
dhe lirinë do ta fitonin a ta blinin
po të bëheshin pak dinakë,
të urtë, të sjellshëm
e do të iknin të lumtur, pa dhimbje, të qetë,
(a ndoshta të gjithë do vdisnin të copëtuar mes arenës).
S’e di a është më mirë të guxosh më pak.
S’e di a është mirë të ndash me të tjerët
bukën e çmendurisë, për të bindur veten
duke parë se ka të tjerë që nginjen me të.
Nuk arrij dot ta them a është e drejtë
që s’më mjaftoi të ëndërroj i vetëm.