GJARPRI
Andej nga vij
thuhet se gjarpri s’duhet ngarë,
s’i duhet prerë rruga,
s’i duhet prishur foleja.
Duhet jetuar me të,
për muaj,
kokën kthyer mënjanë,
duke e parë me bisht të syrit,
se ndoshta nuk sulmon.
Vetëm në dimër,
kur të ketë ngrirë nën gur,
i ligu nuk sheh
e nuk merr hak.
Atëherë gjeja skutën
dhe vrite.
S’e di sa breza
kanë jetuar kështu.
Pickime të herëpashershme ua kanë vrerosur gjakun.
Gojëmbyllur kanë pritur, pa bërë zë,
stinën e duhur,
kohën e përshtatshme,
folenë pa të vegjël.
Gjarpri në ato anë ndihet i qetë.
Ua hedh lëkurën para syve
si dorashka që ftojnë në duele,
këndon
këngë fëshfëritëse oborreve.
Ata presin,
pesha e hënës mbi supe.
A e dinë, mes dëborës,
që vrasin veç gjarprin e vdekur?