Në këtë tokë të askundtë
që në fillim e morëm për zbavitje,
këtë sekondë dy njerëz po dashurohen
(Klodi dhe Vilma, ta themi,
mes tyre 27 vjet dhe 5 mijë kilometra që s’i dinë).
Dy njerëz po urrehen, (këta janë dy çuna) se fjalët s’shkruhen pa përtypur,
po ja, nganjëherë dalin.
Dy njerëz – Marku me Lindën – po përpiqen të kujtohen
a janë takuar më parë,
apo është déjà vu
(në fakt ia kanë parë emrin njëri-tjetrit në gazetë
në artikuj që janë përpjekur t’i harrojnë).
Dy njerëz po zihen për një gjë parimore,
njëri prej tyre është i bindur se Toka është e sheshtë.
Dy njerëz po ndihen si heronj:
sapo ndihmuan kauzën më prekëse të rastit
me pëlqim dhe shpërndarje.
Dy njerëz po shesin duke buzëqeshur,
me sa duket kanë gjetur karremin e duhur.
Dy njerëz po mburren me aventura
pushimesh ku s’kanë shkuar
dhe i dërgojnë njëri-tjetrit
foto që i gjejnë në internet
deri sa rastësisht zgjedhin të njëjtën.
Dritat fiken ngadalë,
çerek pas çereku të globit;
fytyrat ndriçohen
vetëm nga reflektimet e ekraneve
në një ethe bojëqielli, të kuqe, gri.
Vetëm në profilin e Sofisë, pensionistes,
s’ka asnjë reagim, në çdo postim veç heshtje.
Aty gjenden vetëm receta gatimi
dhe nekrologji
në një rend të ndërsjellë,
të ushqyeri dhe vdekjeje:
pulë alla indiançe,
vdes profesori i nderuar Xhons,
kek me tërshërë dhe hurma Arabie,
bota vajton sopranon e mirënjohur,
byrekë të vegjël me perimet e stinës.
Para ekranit Sofia
me syzet e mëdha
fut çdo ditë në furrë
një tavë
dhe pak vdekje.