VERDHËSI E HESHTJE
s’ka shkëlqim në këtë paanësi mitike
të ishullit të shurdhër
vetëm vjeshta pa fryte
lakuriqe
gjerë e gjatë e shtrin pushtetin e saj
o zot sa janë thatë drurët
palmat
sa pak pemë pa fryte
thuajse qajnë
ngase e kanë të ndaluar të lulëzojnë
vetëm përrenjtë e dikurshëm kristal
tash të tharë
kanë mbetur të dëshmojnë
në ishull
për idilat
së bashku me disa mullinj të erës
që bluajnë zbrazëti
qiellin lart
e kanë mbyllur me rrjetë të çeliktë
nuk lejojnë të shfaqet brezi i zonjës
është ndaluar edhe muzika kozmike
vetëm verdhësi ka
dhe heshtje