Duhet ta bëjmë këtë vend
(Треба да ја направиме оваа земја)
U plakëm si fëmijë të tranzicionit
Pa një ditë stazh pune në xhep
Puno ti sa të mëkëmbemi pak
Duhet ta bëjmë këtë vend
Jemi në fillim të rrugës
Sa ta blejmë një Mercedes
Ta bëjmë një televizion
Një gazetë, fabrikë apo republikë
Ti je i shëndoshë,
S’të duhet stazh e librezë
Zoti t’i ruajtë fëmijët
Gjithëçka e nisëm me vullnet
Me ndonjë libër të botuar në xhep
Në qytetin e tranzicionit
Që poezinë e njihte
Nga Libri leximit për kl. VIII
Duhet ta bëjmë këtë vend
Dhe filluan të shkruajnë
Poezi, libra leximi e memoare
Me libreza partie në xhep
Nuk e kishin vështirë
Pas u rrinin ministri e sponzorë me zor
Gjithë hallin e kishin të gjejne një copë buke
Ta kapërdijnë atë turp
Se duhet ta bëjnë këtë vend
Fjalët u rridhnin pa presje e pa pikë
Duartrokisnin, mendja Amerikë
Me gojë flisnin një gjuhë pa sintaksë
Gjysëmanalfabetët me PhD në CV
U plakëm si fëmijë të tranzicionit
Të tillë na pandehin me mend
Nga idealet tona
Që na i huazuan
Krijuan kauzën personale finansiare
Duhet ta bëjmë këtë vend
U plakëm si fëmijë të tranzicionit
Nëpër sallone ku pihet çaj rusi
E folet me gjuhë të zjarrtë
Përballë flamurit kombëtar
Që na e valvisin si demit në arenë
E vet u bënë neo-feudal, turq, grek e kuediçfarë
Na lanë ta mbrojme atë shkabë
Si fëmija lojën kur e ka veç Një
Një si vendin që duhet ta bëjmë