Поезија – Лулзим Хазири (оригинал)

/, Поезија, Литература, Блесок бр. 156/Поезија – Лулзим Хазири (оригинал)

Поезија – Лулзим Хазири (оригинал)


Macet e Halepit
(Мачките на Алеп)

 

Macet e Halepit u shurdhuan një nga një

Dhe shurdhohen për çdo ditë rishtas

Nga shpërthimet që i gjenin shtrofullave

Tek ëndërronin lëmshet shumëngjyrësh

Të derdhur mbi qilimin me xhufka

Sa herë që shurdhohen

U ikin shpiarët me një bohçe tesha mbi shpinë

U mbetet vetëm shqisa e nuhatjes

Dhe sytë që s’duan të shohin shtrofullat

Dhe rrugët për tek konservat e hedhura bosh

Të ushtarëve që flasin gjuhë që s’i kuptojnë

Siç nuk i kuptojnë gjuhët në konserva

Arabisht, rusisht, anglisht, sërish arabisht…

Halepi, kjo gërmadhë konservash e predhash

Gërmadhë gjuhësh të gjalla e njerëzve të vdekur

Macet e Halepit jo që s’dinë të flasin

Të kërkojnë bukë, të kërkojnë të jenë mace Kosove

Po ato janë shurdhuar

Nuk e dëgjojnë klithjen e tyre

Lere më t’i dëgjojnë

Të huajt

Që hyjnë e dalin me bujë aty

U mbetet të enden mbi gërmadha si hije

Të ecin hijeve të Halepit të UNESCOs

Shatërvanëve që s’janë shatërvanë

Shesheve që s’janë më sheshe

As rrugët që s’janë më rrugë

As xhamitë s’janë më xhami

Myezinët ikën të shurdhuar

S’e dëgjonin më zërin e tyre

Apo i shurdhoi zhurma

Ajo zhurmë që ua prishi shtrofullat

Dëgjohen vetëm pëshpërimat, bisedat, këngët e sharjet

Të krejt gjuhëve të botës

Si në Kullën e Babilonisë

Gjuhë që i shurdhuan macet e Halepit

U mbeti vetëm instinkti për të mbijetuar

Dhe për të gjetur ndonjë strofull për një sy gjumë

Kur nata shtrihet e i mbulon si qiell me yje

Qiell që ia prishin rendin ca që duken si yje

E janë satelitë, aeroplanë ushtarak apo xixëllonja të harruara

 

Macet e Halepit që mund të duken edhe si fëmijë

Qëllon të gdhihen edhe mbi një shtyllë

Që dikur ishte një muze arkeologjik

Nga ku u shfaqet muzgu i Halepit

Kjo sepie pluhuri e shprese të vdekur

Kjo klithmë që bota s’e dëgjon

 

Gdhihen të lumtura se dëgjojnë sërish

Të bindura se mjaullimën do tua dëgjojnë ushtarët

Hoxhallarët, humanitarët, doktorët e magnatët…

 

Kjo u zgjat sa një ëndërr e fluturës

Sa një flurudhë granate për tek strofulli i tyre

Macet e Halepit shurdhohen një nga një

Disa nga shpërthimet

Të tjerat nga heshtja…

АвторЛулзим Хазири
2025-06-14T07:54:35+00:00 јуни 6th, 2025|Categories: оригинал, Поезија, Литература, Блесок бр. 156|